Volejboll, kombëtarja pengohet në “hapin” e fundit, kualifikon maqedonasit që ne i mundëm!

Shpresa ishte e madhe për t’u ngjitur më lart, por nuk ia dolëm. Kombëtarja shqiptare e volejbollit për meshkuj, vetëm pak ditë pas fitores së bukur 3-0 ndaj Bosnjë Hercegovinës, pësoi një humbje identike në fushën e Rumanisë. Në Pallatin e Sportit në Galaci u zhbë gjithçka që ishte krijuar deri tani, pasi kualifikimin e mori Maqedonia e Veriut, dhe jo djemtë kuqezinj. Të dyja skuadrat i përfunduan ndeshjet në grup me pikë të barabarta, por maqedonasit e veriut patën setaverazh më të mirë, +3 ndaj +1 të ekipit tonë.

Ekipi i trajnerit Jani Melka mbeti në vendin e tretë, ndërsa për në gjysmëfinale kalojnë vetëm dy vendet e para, Rumania dhe Maqedonia e Veriut. Mëkat i madh sepse kuqezinjtë fituan të dyja ndeshjet me kombëtaren e Shkupit, por sërish nuk ia dolën. Në Galaci, rumunët i morën setet relativisht në mënyrë komode me rezultatin 25-18, 25-19 dhe 25-22 në 73 minuta. Në përfundim, Shqipëria ka 3 fitore dhe 3 humbje me setet 12-11, ndërsa në gjysmëfinalet e Ligës së Argjendit do të ndeshen Finlanda me Rumaninë dhe Hungaria me Maqedoninë e Veriut.

Sfidanti.al