Sesa të vegjël jemi kuptohet kur luajmë me Anglinë, si me kombëtaren edhe me Shpresat!

Diferencat mes futbollit të dy vendeve janë vërtet të mëdha. Kjo kuptohet edhe thjesht kur thua Angli e Shqipëri, ndërsa konfirmohet në fushë, madje edhe kur luajnë ekipet e 21-vjeçarëve. Shpresa shqiptare e trajnerit Alban Bushi pësoi një humbje të thellë, 0-3, në stadiumin e Çesterfildit, duke merituar gjithçka në sfidën e Europianit edhe pse bëri përpjekje. Dobra, Muçi dhe Marku provuan të realizonin edhe përballë një rivali shumë superior, duke e vënë disa herë në vështirësi portierin vendas Bërsik. Gjithsesi, Anglia U21 ishte më shumë skuadër dhe bëri presion të vazhdueshëm siç e tregon mbajtja e topit 67 për qind, ndërsa mbrojtja kuqezi gaboi disa herë.

Kjo solli të paktën dy gola, të shënuar nga Balogan, ndërsa mund të kishin qenë edhe më shumë.  Gordon ishte lojtari më i mirë në fushë, edhe pse nuk shënoi asnjë gol, duke shërbyer asistin për të tretin e duke e vënë në vështirësi mbrojtjen kuqezi. Për shkak të tij, Dobra mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua. Me këtë disfatë, Shqipëria U21 zbriti në vendin e parafundit në grupin eliminator të Europianit, edhe pse shumë pranë Kosovës e Sllovenisë. Ndeshja e fundit në këtë edicion luhet në Elbasan pikërisht ndaj Kosovës në 13 qershor dhe Shpresat kanë shanse të paktën matematike për vendin e tretë.

Sfidanti.al