Kujt i hyn në punë kombëtarja, rroftë finalja e Ligës së Konferencës!

Në Rejkjavik nuk mund të jemi “kallaballëk”. Është tepër larg kryeqyteti i Islandës që televizionet shqiptare të dërgojnë gazetarët e tyre bashkë me kameramanët (ndonëse nuk është aspak “mision i pamundur”). Gjithsesi, detyrën numër 1 në raste të tilla e ka padyshim Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e cila këtë herë “ia bëri naftën” kombëtares duke e lënë në “terr informativ”. Konferenca e shtypit e trajnerit Edi Reja u kthye në një mbledhje të “celulës” me frikën se mos e diktonte “patrulla”. Krerët e FSHF-së, sidomos presidenti i saj, Armand Duka, mesa duket e quajtën misionin e tyre të përfunduar me mbylljen e Asamblesë Zgjedhore, kur sollën në Tiranë Çeferinin, Bonjekun dhe presidentin e Federatës Italiane, si dhe pas luajtjes së finales së Ligës së Konferencës, për të cilën u ngrit në këmbë “i madh e i vogël”. Që kombëtarja nis aventurën në Ligën e Kombeve, duket se kjo është me rëndësi më të vogël. Nuk dihet nëse këtë gjë e kuptojnë edhe futbollistët kuqezinj dhe shpresojmë që të mos e ndjejnë edhe ata, ndryshe në Islandë “na mori lumi”.

Sfidanti.al