Kombëtarja, Bajrami i afrohet formacionit ndaj Islandës, Asllani mbetet jashtë!

Në pjesën më të madhe duket se jemi gati. Kombëtaren shqiptare e ndajnë vetëm pak orë deri në ndeshjen e nesërme në fushën e Islandës, dhe trajneri Edi Reja duket se e ka të përcaktuar shumicën e titullarëve. Gjithsesi, dyshimet ekzistojnë për mesin e fushës. Mësohet se favoritë për të qenë në fushë që nga minuta e parë janë Abrashi, Gjasula dhe Çekiçi, por tekniku italian po merr në konsideratë edhe dy lojtarët që luajnë me Empolin në Serinë A, Nedim Bajramin dhe Kristjan Asllanin. Ky i fundit e ka lënë pas dëmtimin që pati dhe është stërvitur me grupin, ndërsa që të dy lojtarët kanë qenë të dalluar këtë sezon në elitën e futbollit italian.

Burime nga kombëtarja bëjnë me dije se Reja do të vendosë vetëm sot, por me shumë gjasë Bajrami mund të pretendojë për formacionin. Përsa i përket roleve të tjera duket se gjithçka është e zgjidhur, me kapitenin Berisha në portë, me treshen Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti në mbrojtje, me Balliun e Hysajn në krahë dhe me Cikalleshin e Seferin në sulm. Për këtë ndeshje, Shqipëria ka humbur sulmuesit Broja e Uzuni, për shkak të kovidit dhe dëmtimit përkatësisht. Nesër, kuqezinjtë luajnë në Rejkjavik në orën 20:45, ndërsa në 10 qershor presin Izraelin në “Arenën Air Albania” për Ligën e Kombeve.

Formacioni i mundshëm (3-5-2): Berisha Ismajli Kumbulla Gjimshiti Balliu Abrashi Gjasula (Bajrami) Çekiçi Hysaj Cikalleshi Seferi.

Sfidanti.al