Bëri një paraqitje të shkëlqyer duke qenë ndoshta më i miri në fushë. Frenki De Jong në radhët e Holandës së trajnerit Luis Van Gal u duk njëlloj si mesfushori që shkëlqente tek Ajaksi i Erik Ten Hagut në vitet 2016-2019, diçka që nuk po arrin ta bëjë plotësisht me Barcelonën. De Jongu thotë se Barcelona është klubi i ëndrrave të tij, aty ku ka dashur të luajë që kur ka qenë fëmijë, madje pak ditë më parë u tha se kishte refuzuar një transferim tek Mançester Junajtidi. Gjithsesi, pas fitores 4-1 të Holandës në fushën e Belgjikës, 25-vjeçari foli disi më ndryshe. “Stili me Holandën ndoshta më përshtatet më shumë sesa ai me Barcelonën”, – ishin fjalët e De Jongut. Kjo i jep shpresë ish-trajnerit të tij, Ten Hag, se do të mundë ta marrë në “Old Traford”.
Sfidanti.al