Milani shitet për aq sa ia dha vlerën revista “Forbs”, 1.2 miliardë euro!

E mori titullin, por nuk është aspak aty ku ka qenë. Milani, skuadra 7 herë kampione e Europës dhe 19 herë e Italisë, shpreson shumë që të kthehet në epokën e artë të Silvio Berluskonit, e ndoshta kjo që ndodhi tani mund ta ndihmojë. Aksionet e klubit nga Lombardia u blenë nga një kompani amerikane, e quajtur “Redbërd Kapital”. U paguan 1.2 miliardë euro, aq sa mendohej se do të paguanin edhe investitorët arabë, ndonëse tashmë lindi një tjetër Milan amerikan. Kjo sepse klubi edhe këta vjet kishte pronar amerikan, grupin Eliot që doli me fitim 200 milionë euro, dhe që do të mbajë një pjesë të aksioneve në minorancë.

Gjithsesi, për tifozët nuk ka rëndësi se kush është pronari, pasi ata duan trofe. Pas fitores së titullit në Itali në mënyrë ndoshta të papritur, shpresohet përforcimi i ekipit në mënyrë që të mundë të konkurrojë në nivelet më të larta në Champions. A do të mundet Milani të sfidojë Realin, Liverpulin, Sitin, Bajernin apo Paris SG, pse jo edhe Barcelonën e Ksavit? Do të jetë e vështirë, por së pari duhet ruajtur ekipi me lojtarë si Leao, Tonali apo Teo Hernandez, ndërsa shpresohet që Ibrahimoviç të kalojë dëmtimet dhe të vazhdojë të luajë edhe një vit.

Sfidanti.al