Në “Rolan Garos” u luajt një tjetër klasike, një tjetër përballje epike, nga të cilat që e bëjnë tenisin atë sport që e njohim të gjithë. Rafael Nadal arriti gjysmëfinalen e Grand Slemit në Paris duke kaluar në 4 sete rivalin e tij të madh, Novak Gjokoviç, ndërsa u deshën 4 orë e 12 minuta. Setet ishin 6-2, 4-6, 6-2, 7-6. Dy setet e parë ishin tepër të gjatë, por po ashtu edhe i katërti. Publiku parizien ishte thuajse 99 për qind në krah të spanjollit dhe kjo e ndihmoi jo pak në momentet e tij më të vështira. Nadali ishte favorit duke qenë në arenën e tij të preferuar ku ka fituar 13 tituj, ndërsa orari i vonë i shkonte më shumë për mbarë Gjokoviçit.
Tashmë, Rafa mund të synojë Grand Slemin e 22-të, ndërsa Nole e Federer kanë nga 20, dhe në gjysmëfinale do të ketë rival gjermanin me origjinë ruse, Aleksandër Zverev që kaloi talentin spanjoll, Alkaraz, në çerekfinale. “Një ndeshje e pabesueshme, – tha Nadali, – shumë emocionuese. Ndaj Novakut mund të fitosh vetëm nëse luan në maksimum nga fillimi deri në fund”. “Publiku e përmbysi ndeshjen,- tha Gjokoviçi, – 99.9 për qind ishte në anën e Rafës, dhe kjo është e vërteta. Natyrisht, kjo është zgjedhje e tyre, nuk kam çfarë të them. E ndihmuan në momentet më të vështira dhe më vjen keq për këtë”.
Sfidanti.al