Më shumë e tha për t’i bërë reklamë vendit dhe vetes në Itali, sesa është e vërteta. Kryeministri Edi Rama i deklaroi publikut në Apenine se të gjithë shqiptarët do të jenë në krah të Romës në finalen e Ligës së Konferencës që do të luhet në Tiranë në 25 maj. Edhe pse tifozët italianë në Shqipëri janë të shumtë, sërish ata që mbështesin Gjermaninë, Brazilin, Holandën apo Anglinë, me siguri që do të jenë kundër ekipit të Zhoze Murinjos. Gjithsesi, Rama i uron sukses Romës, në një intervistë për të përditshmen “Tutosport” të Torinos, duke qenë sipas stilit të filmit “Edhe kështu, edhe ashtu”, tepër i ëmbël me të huajt, ndërsa është skajshmërisht “i hidhur” me shqiptarët.
“Përshëndetje. Së pari, një përshëndetje për të gjithë juventinët, dhe ju kërkoj falje, por këtu në Shqipëri të gjithë bëjnë tifo për Romën. Për fat të keq, është Roma që ende mban lart flamurin e futbollit “Mejd in Itali” (Made in Italy), në këtë vit kaq të mallkuar për Italinë dhe Shqipëria do të bëjë gjithçka që ky flamur të ngrihet në ballkonin e Europës. Me një tjetër nga kupat e shumta të markës “murinjiane”.
Kryeministri i fton tifozët romanistë që të mos ngurrojnë për të ardhur në Tiranë. “I përshëndes të gjithë lexuesit e “Tutosportit”, që do të kenë në gazetë një intervistë timen për finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë, dhe përfitoj nga rasti për t’u thënë të gjithë romanistëve se i presim krahë hapur në një nga stadiumet më të bukur të Europës, për të mbështetur Romën. Forca Roma, forca Italia. Forca Juve, por vitin që vjen”. Finalja e Ligës së Konferencës do të jetë në “Arenën Air Albania” në 25 maj, mes Romës dhe Fejënordit holandez.
Sfidanti.al