Përpara sesa të luhej, presioni ishte i vështirë për t’u përballuar. Milani duhej të kalonte me sukses në një stadium si “Bentegodi” i Veronës, ku dy herë në historinë e tij e ka humbur titullin në javën e fundit. Futbollistët kuqezinj dolën në fushë duke e ditur se në 1973 dhe 1990 ndodhi ai që u quajt “mallkimi i Veronës”, dhe ashtu siç shkoi pjesa e parë u duk se mund të përsëritej. Vendasit kaluan të parët në avantazh dhe pyetja ishte nëse Milani do të arrinte ta përballonte trysninë. Përgjigja ishte një “Po” me shkronja të mëdha, dhe ekipi i trajnerit Stefano Pioli hodhi një hap të madh drejt titullit në Serinë A.
“Gjeniu i ri” Rafael Leao ishte në rolin e krijuesit dhe mesfushori Tonali, në atë të shënuesit. Të dy përmbysën rezultatin në fund të pjesës së parë dhe në fillim të së dytës, ndërsa në fund pati lumturi edhe për Florencin. “Aromë titulli, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – Eufori e Milanit, fiton me përmbysje në Veronë. Asiste të Leaos, gola të Tonalit! “Duart tek titulli, – thotë “Il Korriere delo Sporti”, – Milani kalon në Veronë. Pioli në krye me Leaon e Tonalin, mund të festojë të dielën!”
“Ishte mëkat që pësuam gol, duke qenë që e nisëm shumë mirë ndeshjen, – tha Pioli, – gjithsesi, mund të ketë edhe gabime. por skuadra diti të reagonte me shumë dëshirë dhe bindje deri në fund. Një tjetër fitore e merituar, dhe një kënaqësi e madhe, por le të shohim ndeshjen e radhës”. Drejtori sportiv, Paolo Maldini, pati një paralajmërim. “Mendoj se në këtë moment, me gjithë këtë entuziazëm që na rrethon, e rëndësishme është të ruajmë qetësinë, – tha legjenda, – besoj se luajtëm mirë dhe e përballuam goditjen. Ekipi ka përvojën e duhur për të reaguar, ndaj u bëj komplimente të mëdha lojtarëve”. Milani kryeson Serinë A me 80 pikë ndaj 78 të Milanit kur duhen edhe dy ndeshje, ndërsa mund të shpallet kampion që të dielën nëse mund Atalantën dhe Interi nuk fiton.
Sfidanti.al