Atletiko drejt Championsit, mund Realin me “Mbretin belg”, Karrasko!

Vështirë të luhej ndryshe derbi i Madridit, me njërin ekip që e kishte jetësor, ndërsa tjetri vetëm statistikë. Realit nuk i pëlqen kurrë që të humbasë ndaj Atletikos, por edhe tifozët e lejojnë pas heroizmit ndaj Sitit në Champions, kualifikimit në finale, dhe zëvendësimeve të shumta të bëra nga trajneri Karlo Ançeloti. Shumë lojtarë u lanë pushim dhe disa u futën vetëm disa minuta në pjesën e dytë.

Atletiko luajti fort që në fillim dhe fitoi me penalltinë e dyshimtë të kthyer në gol nga Karrasko. Pas pushimit, Reali ushtroi më shumë presion, por nuk ia doli të barazonte falë edhe portierit Oblak që u kthye në formën e tij të njohur. Karrasko u mbiquajt “Mbreti belg” nga tifozët, duke u theksuar se “ishte ai që i dha fund “thatësirës” së fitoreve ndaj Barcelonës, dhe tani edhe ndaj Realit”.

Humbja nuk është se i prishi ndonjë punë Realit që e ka fituar titullin, ndërsa për Atletikon fitorja ishte e rëndësishme pasi thuajse e kualifikoi sezonin e ardhshëm në Champions. Ekipi i trajnerit Simeone ka 64 pikë ndaj 58 të Betisit që është në vend të pestë, ndërsa duhen edhe 3 javë deri në përfundim. Siç thonë në Spanjë, “Atletiko fitoi një gjysmë Championsi”.

Atletiko (4-4-2): Oblak, Vrshaljko, Saviç, Gimenez, Mandava (Felipe 73’), Jorente, Koke, Kondogbia, Karrasko (Lodi 90’), Korrea (Grizman 46’), Kunja (De Paul 89’).

Reali (4-3-3): Lunin, Lukas Vaskez, Militao (Mendi 69’), Vajeho, Naço, Kamavigna, Kasemiro (Valverde 61’), Kros (Modriç 68’), Asensio, Joviç (Vinisius 61’), Rodrigo.

Sfidanti.al