Për herë të fundit kjo gjë ndodhi tetorin e kaluar dhe dihet se çfarë pasojash pati. Interi pësonte shumë në atë kohë, për 5 ndeshje radhazi nuk e mbante dot portën të paprekur dhe kjo “sëmundje” është rikthyer. Prej 5 ndeshjeshm, skuadra e trajnerit Simone Inzagi pëson gol dhe lojtarë si Shkriniar apo De Vraj kanë nisur të kritikohen, sidomos holandezi. Ndaj Empolit shkoi në 0-2 përpara sesa Lautaro Martinez dhe të tjerët ta përmbysnin në 4-2. Mungesa e Bastonit shqetëson, por nuk mjafton për ta shpjeguar. Vetë Inzagi kritikoi të vetët duke thënë se “një skuadër me përvojë nuk mund të pësojë gola të tillë”. Duket se përvoja mungoka tek Interi (!!!), apo ndoshta përqëndrimi i duhur i momenteve të caktuara,diçka që bën me faj edhe Inzagin. Interi ka karakter plot, jo më kot është ekipi me më shumë përmbysje në ligat kryesore europiane (22), por problemi është se e vendos veten shpesh në pozita të këqija. Kjo ndoshta mund të ndikojë në fatin e titullit kampion.
Sfidanti.al