Pas dorëzimit ndaj Realit, Siti bën “të fortin” ndaj Njukasëllit

Mundet që titullin kampion në Angli ta fitojë, dhe të mburret se po merr ligën më të fortë të botës. E vërtetë, që Premier Liga është e tillë, kampionati numër 1 i Europës, por edhe një i tillë mund të fitohet nga një skuadër e krijuar me mbi 1 miliardë paundë stërlina shpenzime. Dëmtime e pezullime nuk ndihen, po ashtu humbja e formës, pasi jo vetëm formacioni, por edhe stoli, madje edhe tribuna është e mbushur me yje. Këta yje të Mançester Sitit e treguan epërsinë e tyre tepër të thellë ndaj Njukasëllit duke e mundur 5-0, dhe madje duhej të kishin fituar shumë më thellë për diferencën që patën. Kjo do të thotë se skuadra e Pep Guardiolës është 3 pikë mbi Liverpulin dhe me një golaverazh +4 më mirë sesa të kuqtë e Klopit. Shumë mirë deri këtu, dhe shumë e lehtë. Gjithsesi, ky ekip miliardash “zbërthehet” sapo i del përpara një pengesë “për jetë e vdekje” në Champions, kur gjithçka luhet në 90 apo 120 minuta. Kështu ndodhi me Realin, kështu vjet në finale me Çelsin dhe më herët me Monakon, Lionin, Liverpulin apo Totenhemin. Asnjë trofe për Guardiolën në Europë më Sitin, ashtu siç nuk pati me Bajernin.

Sfidanti.al