Nuk ishte pak ajo që bëri, dhe padyshim që është numri 1 për këtë vit. Karlos Alkaraz është vetëm 19 vjeç dhe triumfi i tij në Turneun e Hapur të Madridit ishte spektakolar. Pasi kaloi radhazi dy legjendat e tenisit, Rafa Nadal dhe Novak Gjokoviç, spanjolli adoleshent nuk e pati aspak të vështirë në finalen ndaj Aleksandër Zverevit, fituar 2-0 (6-3, 6-1) në vetëm 62 minuta. Ndeshja më e vështirë për të ishte gjysmëfinalja ndaj Gjokoviçit, të cilën e fitoi në gati 4 orë betejë me rezultatin e seteve, 6-7, 7-5, 7-6. Zverevi ishte kampioni në fuqi në Madrid, dhe kishte fituar edhe në 2018, por këtë herë nuk pati asnjë mundësi. “Dua ta përgëzoj Karlitosin, – tha gjermani me origjinë ruse, – për momentin, ai është më i miri në botë”. Spanjolli ka fituar 4 turne ATP këtë vit dhe mediat iberike parashikojnë që ai do të jetë shpejt numri 1 në renditjen e rruzullit.
Sfidanti.al