Rekordi i pabesueshëm në atletikë i 100-vjeçarit: Jam i fortë për shkak të gruas!

Ishte padyshim skena më e mirë, dhe ai dha spektaklin më të madh të mundshëm. Një veteran i Luftës së Dytë Botërore, vendosi një rekord botëror në atletikë në moshën 100-vjeçare, ndërsa garoi në Kampionatin e Atletikës së Lehtë në Universitetin e Pensilvanisë, në Filadelfia. Kjo është gara më e vjetër e atletikës në Shtetet e Bashkuara, me fillesë në 1895, dhe Lester Rajt u bë rekordmeni botëror më i vjetër. Ai mori pjesë në garën e 100 metrave për Masters, në krah të veteranëve të tjerë, por që ishin më të rinj se ai. Lester Rajt realizoi kohën 26”34, duke e ulur rekordin e moshës me më shumë se gjysmë sekondi. Rekordin e mëparshëm e mbante Donald Pelman. Rajti është një mjeshtër i vjetër i atletikës për veteranët dhe gati çerek shekulli më parë vendosi rekordin botëror kur ishte 76 vjeç

A jeni i lodhur?, e pyetën pas garës. “Jo”, u përgjigj ai. A do ta bëni këtë gjë përsëri? “Po”. Gjithsesi, rekordi rrezikoi të mos vendosej. “Prej tre vjetësh kam qenë i sëmurë dhe nuk kam garuar, – tha heroi, – ky është konkurrimi im i parë që pasi u shërova”. Por, si ka mundësi që Rajti ia ka dalë të jetojë kaq gjatë dhe të ketë shëndet të tillë? “Unë kam qenë gjithmonë me gruan time prej 80 vitesh, – sqaroi ai, – ne kemi qenë gjithnjë bashkë, kemi jetuar bashkë, kemi punuar bashkë, kemi udhëtuar bashkë, kemi bërë pazar bashkë”. Siç thonë me të drejtë në Shtetet e Bashkuara, Lester Rajti është një shembull për të gjithë njerëzit.

Sfidanti.al