Heroi i Juventusit është Bonuçi, Alegri mendon për … vitin tjetër!

Ishte dita e lindjes, pra e kishte të shënuar. Për më tepër, trajneri vendosi t’i jepte shiritin duke e bërë kapiten. Leonardo Bonuçi, gjithsesi, pati tre gëzime në një ditë dhe jo vetëm dy, pasi ishte heroi kryesor i Juventusit në fitoren 2-1 ndaj Venecias në stadiumin “Alianc”. Qendërmbrojtësi shënoi dy gola duke arritur në 5 rrjeta këtë sezon, një rekord për karrierën e tij. Jo vetëm kaq, por ai ka shënuar më shumë se Mesi, që ka arritur deri në 4 në Ligën e Parë të Francës. Trajneri Maks Alegri, e ka hedhur vështrimin menjëherë në edicionin e ardhshëm. “Pikët që fitohen tani kanë rëndësi të madhe edhe për 2022-2023”, – thotë ai. Juvja ka 69 pikë duke qenë e sigurt për Championsin sezonin e ardhshëm, dhe ky ishte objektivi normal për këtë vit në Serinë A, ndërsa mbetet edhe finalja e Kupës së Italisë ndaj Interit.

Sfidanti.al