Në listën e kontratave të tij ishin disa nga emrat më të njohur. Mino Raiola është vlerësuar gjithnjë si njëri nga agjentët më të shquar të futbollit, veçse sukseset e tij tashmë do t’i mbeten historisë dhe kujtesës. Njeriu që përfaqësoi yje si Ibrahimoviç apo Haland, u shua në moshën 54-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Agjenti i shquar u operua në janar në Milano, dhe ishte i sëmurë gjatë këtyre muajve në Montekarlo, ndonëse nuk është dhënë informacion për llojin e sëmundjes. Raiola përfaqësonte emra të shquar të futbollit si Zllatan Ibrahimoviç, Erling Haland, Henrik Mkitarian, Marko Verrati, Pol Pogba, Romelu Lukaku, Mario Baloteli apo Xhixho Donaruma.
Italo-holandezi e nisi karrierën si menaxher futbolli në fillim të viteve 90-të me lojtarë holandezë si Bergkamp, Roi, Jong apo Vink. Ambicia dhe zgjuarsia bënë që të ngjitej në majat e suksesit dhe të pasurisë, ndonëse e nisi jetën në kushte modeste në provincën e Salernos në Italinë e Jugut. Familja u zhvendos në Holandë vetëm një vit pas lindjes së tij. Revista amerikane “Forbs” vlerësonte se deri në vitin 2020, Raiola bëri biznes me vlerë 847 milionë USD, duke përfaqësuar 77 lojtarë. Goditja e fundit pritej të ishte ajo e Erling Halandit tek Mançester Sitit, por tashmë sulmuesi norvegjez duhet ta realizojë me një agjent tjetër.
Sfidanti.al