Të gjithë lojtarët janë prej “mishi e gjaku”, u ndodh që të nxehen e të humbasin mendjen, dhe kjo u ngjan edhe mesdhetarëve, edhe veriorëve, por edhe aziatikëve, afrikanëve apo amerikanëve (veriorë apo jugorë). Gjithsesi, Stefan Saviç, mbrojtësi nga Mali i Zi, ishte tepër i veçantë për rolin e tij në sherrin e ashpër mes ekipeve të Atletikos së Madridit dhe Mançester Sitit në fund të ndeshjes së Championsit. Saviç goditi me kokë Rahim Stërlingun (të paktën ishte iniciatori që e shtyu), kapi nga flokët Grilishin dhe pati përplasje me Stounin. Për të gjitha këto, malazezi shpëtoi pa marrë karton të kuq, ndonëse besohet se do të dënohet mirë nga UEFA për sjelljen e tij, në bazë të pamjeve filmike. Dënim mund të marrë edhe lojtari i Sitit, Uolker, që goditi me grusht një fizioterapist të Atletikos, David Jorën, ndërsa kroati Vrshaljko shkoi të përplasej me Uolkerin.
Sfidanti.al