Shikoni foton ! Futbollistët e Vllaznisë , po festojnë mbi njëri-tjetrin, duket sikur po imitojnë ngritjen e “Kalasë së Rozafës”. Dhe sa herë që Vllaznia harbohet pas një triumfi special, siç ishte kjo ndeshja me Partizanin, duket sikur shpikësit e kësaj loje dinë të festojnë më mirë se të tjerët.
Dhe sa shumë marifete ka futbolli! Para ndeshjes me Partizanin, tregohej me bujë, si një plagë e hapur, goli i anulluar në ndeshjen e parë, më tej , numëronin gjithë mëkatet e arbitrave në kurriz të viktimës Vllaznia dhe nuk gjenin dot një ekip tjetër, me të cilin mund të krahasoheshin.
Paska qënë një “vaksinim” i shëndetshëm për gjysmëfinalen e Kupës, kjo fushata kundër arbitrave dhe atyre të “padukshmëve” që i telekomandojnë ata.
Kjo që ndodhi ishte haleluja, por nuk thuhet me zë, sepse nuk është në zakonin tonë, se një nga fituesit e ndeshjes ishte edhe arbitri Juxhin Xhaja, i cili i shërbeu me besnikeri betejës delikate për 120 minuta. Dhe trajneri i Vllaznisë ,Plori i lëvdon të gjithë të vetët, madje komplimenton edhe trajnerin e Partizanit,Mehmetin , duke harruar se çfarë piciri kanë hequr nga “muzika e bilbilit”. Nga ana tjeter, Olsi Rama thotë se Kupa është e mallkuar dhe nuk paska qënë prioritet i tyre.Dhe këtë e mësuam vetëm pas penalltive…
Të thonë çfarë te duan, arbitri Juxhin Xhaja mund të ketë më pak emër se disa kolegë të tjerë, që e kanë çarë historinë me “shpatë në dorë”, por, ama, i përket atij brezi arbitrash që ndjellin besim dhe vetëm një nder kërkojnë.. të mos keqpërdoren!
Sfidanti.al