Bolonja luajti për Mihajloviçin, Milani ngec sërish për titullin

Gara në Serinë A duket se do të jetë e bukur deri në fund. Tashmë, nuk ndodh vetëm në Angli që ekipe të ashtuquajtura “të vogla” të ndalin gjigandët, siç kanë bërë me Man. Sitin apo Liverpulin, por ja që edhe në Itali janë mësuar të mos kenë frikë. Bolonja mori një pikë të merituar në “San Siro” ndaj Milanit, të cilit nuk i bëri punë “etiketa” e favoritit në prag të sfidës dhe gati 70 000 tifozët në stadium. Bolonjezët, që luajtën për trajnerin e tyre Sinisha Mihajloviç që është ende në spital me leuçemi, rezistuan fort duke mbajtur topin thuajse po aq sa kuqezinjtë, të cilët vërtet bënë më shumë në gjuajtje (15-8). Gjithsesi, edhe pse në pjesën e dytë hynë Ibra e Kesi, miqtë nuk vuajtën shumë për barazimin sepse Milani nuk krijoi dot raste të pastër. Tashmë, Napoli është vetëm 1 pikë prapa, dhe Interi në -4, por duke pasur ndeshjen e prapambetur pikërisht ndaj Bolonjës. Si do të përfundojë kjo garë për titull në Serinë A? Napoli nuk cilësohet favorit, dhe kjo ndoshta i bën mirë, ndërsa Interi me fitoren në fushën e Juventusit është bërë “me krahë”. Renditja: Milani 67 pikë, Napoli 66, Interi 63 (-1), Juventusi 59.

Sfidanti.al