Dallasi synon vendin e tretë në Perëndim falë Luka Donçiçit

Ylli nga Sllovenia e pati më në fund një tripëll dabëll pas rreth dy muajsh, ndonëse disa herë i është afruar. Luka Donçiç zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në fushën e tij ndaj Lejkërsat, ndërsa Dallasi triumfoi lehtë 128-110. Ishte një duel pa kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, sepse për Lejkërsat munguan Lebron Xhejms dhe Entoni Dejvis, të cilët nuk dihet saktë se kur do të ktheheh nga dëmtimet. Donçiç pati 34 pikë, si dhe nga 12 topa në tabela e asistë, ndërsa e humbi topin vetëm 1 herë. Ky ishte tripëll dabëlli i 10-të i sezonit për 22-vjeçarin, që është padyshim një nga 4-5 lojtarët më të mirë të NBA-së për momentin. Dallasi është në vendin e katërt në Konferencën Perëndimore duke lënë pas Juta Xhazin, ndërsa është vetëm 1 ndeshje larg Golden Stejtit për të zënë vendin e tretë, diçka që mund ta ndihmojë më shumë në plej of. Sa për Lejkërsat, lutja është që të kthehen sa më shpejt Lebroni dhe Dejvisi ndryshe mund të mbesë krejtësisht jashtë zonës edhe në plej in.

Sfidanti.al