Shqipëria “B” nuk di të shënojë, me Gjeorgjinë përfundon 0-0

Nuk dihet nëse ishte çështje vlerësimi, çështje e ndryshimeve të shumta, apo problemi i përhershëm i Shqipërisë që e ka të vështirë përballë ekipeve që i luajnë të tërhequra, por ajo që ndodhi në “Arenën Air Albania” ndaj Gjeorgjisë nuk është se kënaqi edhe aq. Natyrisht, nuk ia vlen të “vemë kujën” për rezultatin 0-0, pasi as Spanja nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë nëse do të kishte dalë 1-1 me ne. Me gjasë, eksperimentet duan kohë që të krijojnë siguri për lojën dhe kështu ndodhi në fushë, sidomos me “transfuzionin” e plotë në mesfushë. Nga ndeshja në Barcelonë, aty kishte mbetur vetëm Hysaj, duke llogaritur edhe lojtarët e krahëve.

Kombëtarja e trajnerit Edi Reja bëri më shumë, mbajti topin 54 për qind, pati 10 gjuajtje drejt portës (3 Gjeorgjia) dhe 4 në kuadrat (1 kundërshtari), ndërsa kornet ishin 7-1. Epërsia në shifra është e dukshme, ndonëse po aq e dukshme është edhe që disa herë lojtarët tanë morën përsipër lojën në mënyrë individuale, një tjetër “sëmundje shqiptare”. Trajneri Reja pranoi se nuk pati mundësi (kohë) ta përgatiste ndeshjen siç duhet, se ndikuan ndryshimet e shumta dhe motivimi më i paktë në krahasim me Spanjën. U kënaq me paraqitjen e Kristijan Asllanit, ndërsa deklaroi se Broja ishte me dëmtim ndaj edhe e zëvendësoi në pjesën e dytë.

Shqipëria (3-5-2): Strakosha, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Roshi (Lenjani 77’), Çekiçi (Laçi 65’), Asllani, Ramadani (Gjasula 65’), Hysaj, Broja (Cikalleshi 46’), Manaj (Vrioni 65’). Tr. Reja

Sfidanti.al