A thua mund të ndodhë përsëri? Në Itali nuk është harruar mbrëmja e zezë e 15 nëntorit, kur kombëtarj u eliminua nga Kupa e Botës, në prani të 70 000 tifozë në “San Siro”. Barazimi 0-0 me Suedinë bëri që Të Kaltrit të mos shkonin në Rusi 2018, dhe frika është se kjo mund të përsëritet. Të besuarit e trajnerit Roberto Mançini kanë nisur grumbullimin dhe përgatitjet në Koverçano, ndërsa nesër presin Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e plej ofit. Nëse ia dalin në Palermo, dhe janë favoritë ndaj ballkanasve, kampionët e Europës do të luajnë finalen ndaj Portugalisë ose Turqisë. Vetëm nëse fitohen dy ndeshjet shkohet në finalet e Kupës së Botës në Katar.
“Objektivi ynë është që të fitojmë Botërorin, – thotë ai, – që të fitojmë Botërorin, duhet të fitojmë këto dy ndeshje. Nuk ka diskutime të tjera. Duam që të shkojmë në Botëror. Jam me besim sepse e di se kam në dispozicion lojtarë shumë të mirë, profesionistë, që arritën triumfin në Europian duke u nisur nga zeroja, kur askush nuk besonte tek ne. Krijuam një skuadër të madhe që e meritoi plotësisht fitoren e Europianit dhe mendoj se kjo duhet të na japë besim”.
Duket si diçka aspak prej kësaj bote që kampionët e Europës të rrezikojnë kaq shumë, vetëm pak muaj pas triumfit të madh në “Uembli”, në finalen ndaj Anglisë vendase. Edhe duelet me Maqedoninë e Veriut nuk kanë qenë shumë të lehta. Fitore në Shkup 3-2 me golin në fund të Imobiles pikërisht në eliminatoret e Kupës së shkuar të Botës, dhe barazim 1-1 në Torino. Në stadiumin e Palermos, Italia të paktën është me fat sepse ka 7 fitore radhazi, ndërsa në 13 ndeshje aty ka vetëm 1 humbje.
Sfidanti.al