Ferrari rikthehet, Lëklerk del i pari në prova, Sainz është i treti!

E vunë në mes kampionin në fuqi të botës dhe treguan qartë atë që përflitej dhe që mendohej se do të ndodhte. Ferrari është rikthyer dhe që të dy pilotët e ekipit italian shkëlqyen në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Bahreinit. Sharl Lëklerk fitoi “pole position”-in me kohën 1’30”558. Në vend të dytë, Maks Verstapen i Red Bullit me 123 të mijtat e sekondës më shumë sesa piloti nga Principata e Montekarlos, ndërsa Karlos Sainz i Ferrarit ishte i treti me 129 të mijtat më shumë sesa shoku i skuadrës. Dueli këtë të diel pritet mes Ferrarit dhe Red Bullit, ndërsa në vend të katërt doli Sergio Perez i Red Bullit me 363 të mijtat më shumë sesa vendi i parë. Vetëm vendi i pestë për 7 herë kampionin e botës, Ljuis Hamilton, me Mercedes me 680 të mijtat më shumë. Xhorxh Rasëll ishte vetëm i 9-ti për Mercedesin, me një hakmarrje të Valteri Botasit që doli i gjashti me Alfa Romeon.

Sfidanti.al