Në NBA po thonë se Nikola Jokiç është sërish lojtari më i mirë!

Statistikat në faqen zyrtare të ligës nuk gënjejnë, por numrin 1 e vendosin votat. Nikola Jokiç u përzgjodh vjet si lojtari më i mirë i sezonit të rregullt të NBA-së, dhe duket se shanset i ka të mira për t’ia dalë sërish. Basketbollisti nga Serbia ka vlerësimin më të lartë në adresën e NBA-së, duke lënë pas Zhoel Embijdin, Janis Adetokumbon, Lebron Xhejmsin dhe Luka Donçiçin, pavarësisht se Denveri nuk është në krye të renditjes. Jokiç ishte shumë i mirë në fitoren e Nagetsave ndaj Uashingtonit, 127-109, duke shënuar 29 pikë, kapur 13 topa në tabela e shërbyer 8 asistë. Kjo në vetëm 26 minuta në parket! Ai bëri edhe dy vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje, duke ndihmuar shokët e skuadrës që të shënonin si Morris (15 pikë), Gordon (14), Hajlend (17), Kouzins (14) apo Rivers (13). Gjasat janë të mëdha që Jokiç të shpallet sërish më i miri i NBA-së, ndonëse Denveri është në vendin e 6-të në Konferencën Perëndimore.

Sfidanti.al