I kishte ndodhur Mauricio Sarrit kundër Lionit, i ndodhi vitin e kaluar Andrea Pirlos kundër Portos, dhe tani Masimiliano Alegrit përballë Vijarrealit. Për të tretin sezon radhazi, Juventusi eliminohet nga Championsi që në raundin e dytë dhe përballë ekipeve që cilësoheshin “të vogla”. Edhe pse me statusin e favoritit, nuk ia doli, dhe po kështu u eliminua në 2018 kur ishte Alegri nga Ajaksi në çerekfinale. Arrigo Saki bëri kritika të forta pas ndeshjes, dhe jo vetëm për italianët, por edhe për spanjollët, duke thënë se “ky nuk është futboll, Alegri dhe Emeri menduan vetëm për t’u mbrojtur”. Në Itali po flasin për një revolucion të thellë që duhet të ndodhë tek “Zonja e Vjetër”, edhe pse askush nuk e di sesi mund të jetë kjo përmbysje. U provua me Sarrin dhe Pirlon për futbollin e bukur dhe për Juven si markë botërore, por nuk doli gjë, dhe u kthyen te konservatorizmi i Alegrit. Tani, sipas mediave, ekziston frika se katastrofa në Champions mund të prishë punë edhe në Serinë A.
Sfidanti.al