Njeriu që siguroi suksesin quhet Spenser Duinuidi, ndonëse supertalenti nga Sllovenia gjithashtu e tha fjalën e tij. Ishte aksioni i fundit në Arenën e Bruklinit në Nju Jork (ku Kajri Irving i pavaksinuar nuk u lejua sërish që të luante), dhe kapiteni ia pasoi topin shokut që provoi gjuajtjen finale. Duinuidi bëri detyrën dhe shënoi, e Dallasi triumfoi 113-111. Një sukses i rëndësishë për plej ofin dhe në një fushë të vështirë. Lojtari më i mirë në fushë ishte pikërisht Donçiç me 37 pikë dhe shumë pranë një tripëll dabëlli, 9 topa në tabela e 9 asistë, plus 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Vetë Duinuidi shënoi 22 pikë, pra nuk ishte aspak keq. Për Bruklinin më i miri ishte Kevin Duranti me 23 pikë, 6 topa në tabela e 10 asistë, ndërsa slloveni tjetër, Goran Dragiç, shënoi 21. Dallasi është në vendin e 5-të në Perëndim me pikë të barabarta me Juta Xhazin e vendit të katërt, ndërsa Bruklini është keq, i 8-ti në Lindje.
Sfidanti.al