Sa shumë ndihet prania e Manuel Nojerit tek Bajerni!

Edhe pse nuk ishte shumë i impenjuar, edhe pse nuk ia patëm shumë nevojën për pritjet e mëdha e të zakonshme, sërish prania e kapitenit pati një ndikim të madh tek skuadra bavareze. Ata që kishin parë Bajernin pas 5 shkurtit dhe Bajernin e së martës kuptuan se çdo të thotë që portieri të jetë në fushë. Roli i tij si “portier dhe mbrojtës i lirë” bëri që ekipi të zhvillonte ato lloj aksionesh që nuk mundej t’i bënte me Ulrajhun në portë. Po ashtu, vija e mbrojtjes ishte shumë më sipër, pasi Zyle, Hernandez apo Pavar e dinin se Nojeri mund të luajë shumë mirë me këmbë, të organizojë dhe të nisë lojën që nga porta e tij. Kjo ndihmoi lojtarët e krahut që të shkonin shumë më përpara dhe të ndihmonin sulmin. Për më tepër, ata nuk hynë shumë në zonë dhe lejuan Levandovskin e Mylerin të kishin hapësira. Jo më pak të rëndësishme ishin orientimet e tij për shokët, ndërsa në pozicionin e prapavijës Nojeri kishte fushëpamje shumë më të mirë.

Sfidanti.al