Ç‘i shkrepi Skënder Gegës që shkoi në një “luftë të humbur”

Ka habitur, madje ka befasuar më shumë, vendimi i trajnerit Skënder Gega për të marrë drejtimin e Skënderbeut, tamam në momentet kur ekipi që shijoi “parajsën” për disa vite, është fundosur deri në tabelën e klasifikimit, ka prekur “ferrin” do të thonim. Si ka mundësi që Gega u nis në një “luftë të humbur”? Cila do të jetë paketa magjike e tij për të shpëtuar Skënderbeun? Një bast është i sigurt: Gega këtë herë ka dalë edhe kundër “vetes së tij” pasi ka provuar të jetë vetëm trajner elite, kampion me Partizanin dhe një përvojë e shpejtë me Kukësin, ku u shpall “kampion” për nga mënyra se si iku…

Është interesant përjetimi “alla shqiptar”, ngaqë më shumë habitemi kur Gega nis një punë, se sa kur ishte pa ekip dhe pa punë fare! Nuk jemi mësuar me faktin sakrifikues , që një trajner i mirë të marrë përsipër fatet e një ekipi që po i shkojnë punët për keq. Duam apo s’duam, kjo është aventurë, por dhe lufta e trajnerit. Dhe nëse do të kujtonim frazën e shenjtë, që na ka lënë trashegim një i moçëm i futbollit, ka arsye që Gega të habitet me ne dhe jo ne me Skënder Gegën. Fraza është muzeale: “ Si është më mirë, të mbetesh pa ekip dhe të ëndërosh për një ekip lavdie, apo të jetosh me futbollin ..qoftë edhe me një ekip me halle?”

K.Shabani