Klopi: Interi nuk vjen për turizëm; Inzagi: Duhet gol në pjesën e parë!

“Anfildi” nuk bie prej 1 viti dhe Van Dajku nuk provon humbje prej 60 ndeshjesh! Të tillë rivalë do të gjejë Interi këtë mbrëmje në orën 21:00, por gjithsesi trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, nuk dëshiron të bëjë rolin e “të fortit”. Përkundrazi, gjermani tregon respektin maksimal për rivalin, pavarësisht fitores 2-0 në “San Siro” në ndeshjen e parë të raundit të dytë. “Interi nuk do të vijë këtu për turizëm, – thotë ai, – ne jemi tani në gjysmën e punës, dhe të mos harrojmë se në ndeshjen e parë e patëm të vështirë. Rezultati 2-0 është ai që është përmbysur më shpesh në historinë e futbollit. Interi ka shumë cilësi, Xheko e Lautaro gjetën golat, por jam i kënaqur që nuk luan Barela”.

Po Simone Inzagi? Trajneri i Interit i jep zemër të vetëve, ndërsa fitorja e fundit në Serinë A krijon moral, edhe pse u arrit thjesht ndaj Salernitanës. “Do ta provojmë, – thotë ai, – edhe pse rezultati i ndeshjes së parë nda dënon shumë. Na duhet një gol në pjesën e parë. Të kuqtë janë ndër skuadrat më të forta në botë, por ndeshje të tilla të ndihmojnë të rritesh. Për fat, Perishiç është i rikuperuar”.

Sfidanti.al