Alegri: Për të fituar, një skuadër duhet të mësohet të vuajë

Nuk heq dorë nga filozofia e tij, sikur të ishte një njeri i mësuar me sfilitje gjithë jetën. Gjithsesi, është vuajtje edhe kur e ke problem të nxjerrësh bukën e gojës, edhe kur lufton për qëllime të larta, dhe Masimiliano Alegri këtë karakter kërkon të kalisë tek Juventusi i tij. Diçka që Mauricio Sarri ndoshta nuk e arriti deri në fund, dhe që Andrea Pirlo e pati të vështirë ta bënte edhe për mungesë të përvojës. Fitorja 1-0 ndaj Specias ishte shumë e vogël, por edhe e madhe për faktin se u morën 3 pikë. “Djemtë duhet të kuptojnë se kur të qëllon topi për të mbyllur ndeshjen, duhet ta bësh, – thotë Alegri, – që një skuadër të arrijë të fitojë gjëra të rëndësishme duhet të dish të vuash. Ia dolëm mbanë dhe është situata më e mirë për të përballuar ndeshjet që vijnë më pas, si Sampdoria apo Salernitana. Për fat të keq jemi të lodhur, edhe sepse kemi pasur shumë mungesa”. Në kuotën e 53 pikëve, Juvja mund të arrijë gjithçka, madje edhe titullin nëse do të ketë fatin me vete.

Sfidanti.al