Pedro shënon në çdo ndeshje, Çelsi synon gjithçka në Angli!

Pedro Rodrigez po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Çelsin, skuadrën që synon të fitojë çdo trofe të madh në Angli. Në pamundësi për të bërë të vetën Kupën e Ligës (Junajtid luan në finale ndaj Sauthemptonit), blutë e Londrës mbajtën gjallë shpresat në Kupën e Anglisë, ku arritën në çerekfinale dhe ku Pedro vazhdon me rekordin e tij të shënimit në çdo ndeshje këtë sezon. Sulmuesi i ardhur nga Barcelona realizoi rrjetën e parë (65’) në një ndeshje të vështirë në fushën e Uolvesit, në stadiumin “Moline” (Molineux), i cili kishte aq shumë tifozë sa nuk kishte pasur për 36 vjet, saktësisht 30 193 spektatorë.

Diego Kosta shënoi golin e dytë një minutë përpara përfundimit, dhe skuadra e Antonio Kontes e bëri detyrën, ashtu siç po e bën në kampionat ku ndodhet e shkëputur në vendin e parë. Rezultati ishte krejt normal për Uolvesin, skuadra e të cilit në fushën e lojës vlente vetëm 18 milionë stërlina, ndërsa ajo e Kontes kushtonte 176 milionë paund, edhe pse nuk ishin përfshirë David Luiz, N’Golo Kante apo Nemanja Matiç. E si mund të ishte ndryshe, për dy ekipe që i ndajnë 38 vende në renditje (Çelsi i pari në Premier, Uolves i 18-ti në kategorinë e dytë).

Sfidanti.al