Trajneri gjerman do të njihet përjetë për futbollin e tij të jashtëzakonshëm, të cilësuar “heavy metal”, por ndoshta diçka më pak për trofetë e fituara, pasi është më poshtë sesa një Ferguson apo Murinjo. Ai ka fituar “vetëm” 10 tituj me Dortmundin e Liverpulin, ndërsa më keq e ka punën me finalet. Suksesi në finalen e Kupës së Ligës ndaj Çelsit ishte i 4-ti për gjermanin, që ka humbur 6. Gjithsesi, “biografia” po rregullohet, pasi në 2019 fitoi finalen e Championsit, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet. “Tifozët deshën një finale të madhe dhe doli një finale e madhe, – tha Klopi, – si trajner do të doja të kishte përfunduar 1-0 për ne në 90’. Është shumë e vështirë të mundësh Çelsin, një skuadër shumë e fortë. Të dy ekipet e vlejtën njëri-tjetrin. Mund të kishte përfunduar 5-5”. Ai lavdëroi portierin Kelleher, duke thënë se “si trajner profesionist mund të kisha aktivizuar Alisonin, por fitoi njeriu me ndjenja, dhe vendimi doli i drejtë, Kelleher e meriton”.
Sfidanti.al