Armando Broja mund sulmuesit e Çelsit, me gola dhe me driblime!

Llogaritë bëhen në fund, por edhe tani në shkurt mund ta kemi një ide. Armando Broja është jo vetëm lojtari i ri më i mirë i Premier Ligës angleze, jo vetëm zbulimi më i madh tek Sauthemptoni, por edhe fitues deri tani i garës me sulmuesit e Çelsit. Një krahasim që është normale të bëhet sepse kartoni i 20-vjeçarit është pikërisht tek Çelsi, ndërsa spekullimet janë të mëdha për të ardhmen e tij. Statistikat e yllit të kombëtares janë më të mirë, në tërësi sesa lojtarët ofensivë të Bluve të Londrës.

Broja lë pas që të gjithë sulmuesit e Çelsit në kampionat me 6 gola ndaj 4 të Lukakut, 3 të Zijeçit dhe nga 2 të Havercit, Pulishiçit apo Vernerit. Shqiptari është i pari në mesataren e golit dhe asistit për minuta, me një rrjetë çdo 205 minuta,duke thyer Vernerin, Lukakun e Zijeçin. Ai është i dyti në mesataren e golit dhe asistit për minuta, i lënë pas vetëm nga Zijeç,por jo nga Verneri apo Lukaku. Po ashtu, 20-vjeçari është më i mirë se yjet e Çelsit kur vjen puna për driblimet e suksesshme, ndonëse nuk është mirë për asistet, shanset e krijuara apo pasimet e sakta.

Nga të gjithë lojtarët e Çelsit, Broja lihet pas vetëm nga mesfushori Mejzën Maunt, dhe Konor Gallager që gjithashtu është dhënë hua, dhe që kanë nga 7 gola, vetëm një më shumë sesa ai. Përsa i përket të ardhmes, shqiptari do të vendosë në verë, ndërsa dëshira e tij kryesore është që të ketë minutazh. Shpreson Çelsin, por nuk refuzon as Sauthemptonin, Arsenalin, Njukasëllin, Bajernin apo Dortmundin. Kartoni i tij mund të arrijë fare mirë në 30 deri në 40 milionë paundë stërlina.

Sfidanti.al