Natyrisht mund të qëllojë që të humbasësh dhe kryesuesve të Superligës u ndodhi kështu. Përtej ankesave të trajnerit Orges Shehi ndaj arbitrit, Tirana u mund në Kamzë nga Kastrioti dhe lejoi që Laçin ta ketë tani vetëm 3 pikë larg vetes. Nuk dihet nëse është një koincidencë që kurbinasit afrohen pikërisht kur Tirana ka ankesa për gjykimin. Gjithsesi, në stadiumin e Kamzës, krutanët bënë më shumë dhe e merituan fitoren 2-1. Jo vetëm shënuan shpejt me anë të Kainës, por edhe krijuan raste të tjera, përballë një kundërshtari shumë superiorë në letër, por aspak në fushë.
Me gjasë, Shehi nuk ia paska dalë që t’i bëjë lojtarët e tij që të besojnë se mund të ndodhë të humbasësh edhe ekipin e fundit në renditje. Dy golat e Kainës bënë që Kastrioti të ketë tani 18 pikë, të lerë prapa Skënderbeun e të konkurrojë me Dinamon, Egnatian, pse jo edhe me Teutën për të siguruar mbijetesën. Në pjesën e sipërme të tabelës, Laçi fitoi një derbi të veriut me Kukësin, madje me shifrat 3-0. Skuadra e trajnerit Mirel Josa u tregua me më shumë autoritet, më shumë ekip, edhe pse nuk pati golshënuesin kryesor, Guindo. Malota, Adeleke dhe Zulfiu ishin autorët e golave, dhe kurbinasit kanë tani 43 pikë ndaj 46 të Tiranës që kryeson.
Sfidanti.al