Një Armando po çmend Anglinë me talentin prepotent dhe me golat diagonal, një Armand po çmend Shqipërinë me manipulimet pa fund të shoqatave rajonale të futbollit ( ato që ngjallen çdo 4 vite dhe më pas “vdesin “ prapë) aq sa s’po gjëndet gjykatë që i pastrondot letrat një herë e mirë. Armando i Anglisë, nuk ndalet kur niset drejt portës kundërshtare, me golin ka tërheqje patologjike, kurse Armandi i FSHF-së, edhe pse në moshë të madhe përmbi fron, ka një jetë që e shalon futbollin, është kaq i çmendur kur niset drejt fronit sa dhe vetë UEFA ..e shikon me frikë .. djalin e saj “plangprishës”.
Armando Broja është i talentuar në Angli , në kampionatin më të fortë që lëshon xixa , në të cilin lipset një zemër e fortë, Armand Duka “luan” në Shqipëri dhe ka një supertalent për ta lënë futbollin pa zemër dhe pa shpirt. Madje ka një magji te zezë: stadiumet janë pa njerëz, por me salla zgjedhjesh që lodrojnë me tritolin dhe me… gjykatat . E quajnë magjistar sepse një futboll të vdekur prej kohësh, ia shet kolegëve të tij në UEFA-s si për të gjallë. Thuhet se është njeriu ideal që lojën e shpikur për 11 vetë e shndërron në një lojë vetëm për vete!
Në Premier Ligë kanë filluar ta quajnë Armando Brojën si “djaloshi fatal ”, kjo për zotësinë dhe bëmat e tij në lidhje me golat, kurse në Superligë dhe në Kombëtare, s’mjaftokan as 20 vite, që “bomberit” Armand të mos ia numërosh dot as golat dhe as rrofeshatat…
Sfidanti.al