Sezon më të vështirë se kaq nuk mund të kishin imagjinuar, por janë me fat që ky basketbollist është ende me ta. Lebron Xhejms u kthye nga dëmtimi për Los Anxhelos Lejkërsat, dhe kalifornianët arritën më në fund të fitonin, ndonëse ishin në prag të humbjes. Pavarësisht se ndeshja po luhej në Arenën e Los Anxhelosit, sërish Nju Jorku ishte në epërsi të 21 pikëve në periudhën e dytë. Lebroni shënoi 29 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, pra u kthye me një tripëll dabëll, dhe “Liqenasit” fituan 122-115, por vetëm pas kohës shtesë. “Pas periudhës së parë gjuri u ndje më mirë, dhe unë u ndjeva më mirë, – tha Xhejmsi, – kjo bëri që të luaja më mirë basketboll”. “Mbreti” i koshit ka 103 tripëll dabëlla në karrierë, njëri nga lojtarët më të mirë të NBA-së në këtë renditje. Gjendja në renditjen e NBA-së mbetet e vështirë me 26 fitore e 28 humbje, dhe plej ofi rrezikohet të mos arrihet, por shpresa është e madhe tek Lebroni dhe tek fakti që ai të mos ketë dëmtim tjetër, diçka që nuk mund të garantohet në moshën 37-vjeçare.
Sfidanti.al