Në Shqipëri prej shumë e shumë vitesh kishte humbur shpresa se mund të kishte ndëshkim për “mëkatet”. Përveç politikës dhe krimit të organizuar, pjesë e kësaj pandëshkueshmërie ishte edhe futbolli me ndeshje që luheshin më përpara nëpër tavolina, tribuna apo skedina, ndërsa në fushë mbetej vetëm tallja. Gjithsesi, shpresa është ringjallur sado pak, ndërsa UEFA ndëshkoi me 1 vit përjashtim nga Europa, kampionen Skënderbeu, pas akuzave dhe një gjyqi shembullor për trukime. Ishte agjencia Federbet që shqyrtoi fillimisht çështjen dhe drejtoi gishtin nga klubi korçar.
Është pikërisht Federbet që ka shpërthyer edhe ndaj Tiranës dhe Kukësit duke e quajtur skandal atë që ndodhi në tri ndeshje mes tyre, në Kupë dhe në kampionat. Agjencia europiane antitrukim nuk përdor shprehje të mesme, por e quan “skandal të madh” atë që ndodhi në “Selman Stërmasi” dhe në “Zeqir Ymeri”, duke nënvizuar se publiku pati dyshime të mëdha, dhe se mediat bënë akuza ndaj dy klubeve. Po ashtu, Federbet iu referua mediave shqiptare për faktin se kompanitë e basteve nuk pranuan baste pikërisht për ndeshjen Tirana-Kukësi të Superligës që përfundoi 2-1 për miqtë. A mund të themi se Federbet do të shkaktojë një tjetër tërmet në futbollin shqiptar, duke nxitur UEFA-n që të hetojë dhe të marrë një vendim?
B.Kuke