Në fund, i vetmi që ndryshoi ambient ishte ai. Myrto Uzuni përfundoi transferimin nga Ferencvaroshi në Hungari tek Granada e Spanjës, dhe u prezantua në klubin e tij të ri. Sulmuesi kuqezi është bërë menjëherë pjesë e skuadrës së La Ligës, ndërsa Granada pagoi 3.5 milionë euro gjithsej për kartonin e tij. Nuk jepet informacion për rrogën, por padyshim që ajo do të jetë mbi 1.5 milionë euro, ndoshta deri në 2 milionë, diçka normale në një klub që e ka kufirin e pagave deri në 53 milionë euro në sezon. Beratasi 26-vjeçar do të jetë në një ekip që ka 3 vjet radhazi në La Liga, edhe pse këtë herë rrezikon duke qenë në vendin e 14-të. Uzuni pritet të luajë menjëherë dhe “prova e parë e zjarrit” të dielën do të jetë e madhe, në “Santiago Bernabeu” të Madridit ndaj Realit.
Sulmuesi kuqezi ishte i vetmi nga lojtarët e kombëtares që lëvizi në janar. Lajmet nga Anglia janë që Çelsi ende nuk e ka ndarë mendjen për Armando Brojën, dhe se trajneri Tomas Tuhel do të vendosë në verë, pasi të shikojë ecurinë e 20-vjeçarit, por edhe nivelin që do të japin Romelu Lukaku e Timo Verner tek Blutë e Londrës. Edhe për Nedim Bajramin pritet që transferimi të ndodhë në verë. Napoli është klubi më i interesuar, por gjithashtu edhe Napoli, Lacio apo Sasuolo, ndërsa mesfushori 22-vjeçar do të përpiqet të mbyllë siç duhet një sezon shumë të mirë deri tani. Përsa i përket Marash Kumbullës, nuk dihet nëse ai do të largohet apo jo nga Roma, ndërsa e ka fituar besimin e trajnerit Zhoze Murinjo.
Sfidanti.al