Ankandi mburravec: Kukësi bujë në merkato, Tirana…”e bekon” me 4 gola!

Ajo e djeshmja ishte një fitore spektakolare e Tiranës, por në një farë mënyre tregoi edhe se diferencat e mëdha në fushë janë në të vërtetë artificiale, të nxitura nga mënyrat diletante të menaxhimit të skuadrave. Fakti që në çdo dritare merkato, madje edhe në ato të papërshtatshmet, drejtuesit e klubeve hapin një garë të ethshme për të afruar futbollistë, duke e kthyer këtë operacion të rëndësishëm në një ankand, për të treguar se kush mban më shumë para në portofol, nuk të jep domosdoshmërisht avantazh për pjesën e mbetur të edicionit. Kështu, disa skuadrave që çmontohen në verë, i ndërhyet në fasadë edhe në dimër, duke prishur me para në dorë, atë që është ndërtuar po me para.
Dhe në përfundim, Tirana dhe Kukësi ishin skuadra aq të ndryshme, pasi njëra prej tyre ka marrë formë të përhershme që në verë dhe tjetra është vazhdimisht në rikonstruksion. Kukësianët kanë bërë së fundi një goditje të madhe, duke sjellë sërisht Shkurtajn, një njohje të vjetër, madje për t’ia arritur u hëngrën dhëmbë për dhëmb me Partizanin. Por, një konstatim i trajnerit Longo të lë vërtetë pa fjalë… Sipas tij, Shkurtaj është një afrim shumë i rëndësishëm për ekipin verilindor, por bomberi i dikurshëm tani është vetëm në 1% të kondicionit të tij.

Pra, ai dikur do të kthehet sigurisht, por ka shumë mundësi që deri atëherë, Kukësit të mos i mbetet më kohë për të konkuruar për titullin e madh. Veç të tjerash, thuhet se Shkurtaj ka nënshkruar një kontratë 6-mujore me opsion rinovimi dhe nëse ky i fundit nuk ndodh, ka gjasa që Kukësi vetëm ta përgatisë, për t’ia bërë gati një skuadre tjetër. Ndërsa Tirana tani ndodhen në një avantazh prej 9 pikësh dhe nëse ekipi i Longos nuk reagon shpejt, ka shumë mundësi që nuk do të jetë më imazh, as në pasqyrat e makinës bardheblu.

Sfidanti.al