“Sauthemptoni jep 30 milionë euro për Brojën”, por klubi hedh poshtë lajmin!

Sakrificat e familjes për të duket se nuk kanë shkuar kot. Armando Broja falenderon prindërit e tij, babanë dhe nënën, që ka arritur të bëhet ky që është sot, ndërsa mediat europiane raportojnë zhvillime për karrierën e tij. Sauthemptoni është gati të paguajë 25 milionë paundë stërlina, që do të thotë 30 milionë euro për kartonin e sulmuesit të kombëtares shqiptare. “Eurosporti” informon se klubi i Premier Ligës është në bisedime me Çelsin dhe dëshiron që transferimi të përfundojë tani në janar. Televizioni kontinental i referohet gazetarit të mirëinformuar Fabricio Romano, i cili shton se duhet parë reagimi i Çelsit, pasi trajneri Tomas Tuhel është një admirues i Brojës, dhe jo më kot ka thënë se “ai është lojtari ynë”.

Tridhjetë milionë eurot përfaqësojnë një rekord për Sauthemptonin, por edhe për kombëtaren shqiptare, ndërsa Marash Kumbulla kaloi tek Roma për 26.5 milionë euro. Vetë Broja vazhdon të ëndërrojë kthimin tek Çelsi, edhe pse ndihet shumë mirë në ekipin e tanishëm. Jo më kot, ai është tifoz i bluve dhe karrierën e pati kryesisht në Akademinë e londinezëve. Ndërkaq, Sauthemptoni ka hedhur poshtë se po mendon të bëjë një ofertë për Brojën, me gjasë duke ndjerë se Çelsi nuk do të pranojë ta humbasë lojtarin e tij.

Broja ka vendosur rekorde në Premier Ligë për moshën e tij, ndërsa ka shkëlqyer edhe me kombëtaren shqiptare duke shënuar 3 gola, e duke siguruar dy fitoret historike ndaj Hungarisë në eleminatoret e Kupës së Botës, ndonëse marrëdhëniet me trajnerin Reja nuk i ka aspak të mira.

Sfidanti.al