NBA, Feniksi mund Indianën dhe arrin fitoren e 6-të radhazi

Dikush mund të thotë se dyshja e re dominuese në NBA ka emrat e Devin Bukerit e Kris Polit. Gjithsesi, në suksesin 113-103 ndaj Indianës, Feniks Sansët nuk është se patën vetëm këta yje, porse kontribut të madh dhanë edhe të tjerët. Bukeri pati vetëm 11 pikë, plus 7 topa në tabela, 3 asistë, 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Kris Pol ishte më mirë me 18 pikë, 4 topa në tabela, 16 asistë e 4 vjedhje topi, veçse shënuesit më të mirë ishin Brixh me 23 pikë dhe Biombo me 21. Ky i fundit kapi edhe 13 topa në tabela duke ardhur nga stoli, ndërsa qendra Mekgi shënoi 13 pikë e kapi 12 topa në tabela. Një ekip i plotë dhe i vërtetë, ky është Feniksi i dy sezoneve të fundit, një nga më të mirët në NBA, dhe jo më kot nënkampion në fuqi. Këtë edicion është numri 1 në sezonin e rregullt me 36 fitore e vetëm 9 humbje, duke lënë pas për momentin Golden Stejtin.

Sfidanti.al