Atletiko nuk qenka aq e shkatërruar, por plotësisht e çmendur!

Diego Pablo Simeone më në fund mundi të festonte ashtu siç di dhe siç dëshiron ai. Një trajner “i çmendur” ndihet më mirë kur drejton një skuadër po aq “të çmendur” dhe Atletiko e Madridit u shfaq pikërisht e tillë në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Valencias në “Uanda Metropolitano” për La Ligën. Në humbje 0-2 dhe drejt një tjetër disfate, bardhekuqtë gjetën forcën, por edhe fatin, për përmbysje. Kjo “kollotumbë” ishte e pabesueshme me dy gola në minutat 92 e 95. Ngjan shumë me suksesin e Totenhemit në Angli para pak ditësh ndaj Leisterit.

Mateus Kunja, Angel Korrea dhe Mario Hermoso ishin autorët e rrjetave për vendasit që kanë tani 36 pikë dhe do të mbeten në zonën Champions edhe pas kësaj jave. “Një ndeshje e çmendur, – tha Korrea më pas, – duhej të kishim pak durim në pjesën e dytë, dhe me ndihmën e njerëzve tanë ia dolëm. Tifozët duhet të kenë besim tek ne, dhe e vërteta që kurrë nuk e humbën besimin”.

Sfidanti.al