Tifozët e mediat në Romë: Shembulli i Kumbullës të vlejë edhe për të tjerët!

Në të vërtetë duhet të tregohemi pak të kujdesshëm dhe të tërhequr sepse mbrojtësi i kombëtares shqiptare luajti thjesht një ndeshje shumë të mirë e kaq. Marash Kumbulla ishte më i miri në fushë në Roma-Kaljari (1-0) në Serinë A, aq sa mori lavdërime “shqeto” nga një njeri që nuk i nxjerr lehtë nga goja si trajneri i tij, Zhoze Murinjo. Po kaq të rëndësishme për 21-vjeçarin janë edhe vlerësimet mediatike dhe të tifozëve në kryeqytetin e Italisë. “Kumbulla duhet të jetë shembulli për t’u ndjekur edhe nga të tjerët, – shkruan media “Zëri Verdhekuq” (Voce Giallorossa), – shqiptari ka punuar fort për t’u rritur, sipas kërkesës së trajnerit. Në fund të fundit, duhet të jenë lojtarët që të ngjiten në nivelin që kërkon trajneri, jo e kundërta”. “Kumbulla nuk është yll rastësisht, – shkruan  “Faqet romaniste” (Pagine Romaniste), – e vërteta është se ai ka qenë i zoti sa herë ka luajtur, sepse në 14 ndeshje që ka qenë në fushë, Roma ka fituar 79 për qind të tyre”.

Sfidanti.al