Sa për titullin as që mund të bëhet fjalë, ndërsa vetë trajneri Tomas Tuhel e ka pranuar që më parë se “do të na duhet kohë që t’i afrohemi Mançester Sitit”. Çelsi mund të krenohet që është kampion i Europës në fuqi, fitues i Championsit, por për t’u bërë kampion i Anglisë mori një tjetër goditje. Jo vetëm sepse barazoi 1-1 në fushën e Brajtonit mbrëmjen e djeshme duke mbetur 12 pikë prapa Sitit me një ndeshje më shumë të luajtur, por edhe sepse nuk meritoi të fitonte. Jo vetëm kaq, por meritoi që të humbiste sepse Brajtoni bëri presion edhe përpara sesa të pësonte gol, edhe pasi blutë e Londrës shënuan.
Rretat u shënuan nga Hakim Zijeç për miqtë dhe nga Uebster për vendasit, kurse Romelu Lukaku (në foto) pati një mbrëmje për t’u harruar dhe u zëvendësua nga Verneri, që gjithashtu nuk shënoi dot. Ky ishte barazimi i 8-të radhazi i Çelsit këtë sezon në Premier dhe kjo tregon shumë. “U dukëm të lodhur dhe jemi të lodhur, – tha trajneri Tuhel, – kjo është e vërteta. Ne e dinim se Brajtoni pati më shumë kohë për t’u përgatitur se ne, por këto ekipe do të kemi përballë në Premier. Kemi nevojë për disa ditë pushim”. Çelsi ka 44 pikë në 23 ndeshje, Liverpuli ka 45 në vetëm 21, ndërsa Siti kryeson me 56 pikë në 22 takime.
Sfidanti.al