Juvja fiton, por quhet humbje kur Dibala nuk feston golin!

Duket se gjithçka po del në “sipërfaqe” dhe mëritë e mbledhura prej kohësh nuk mund të fshihen më. Tek Juventusi, më shumë çështje po bëhet rinovimi i Paulo Dibalës sesa fitorja 2-0 ndaj Kaljarit në Serinë A, që ia forcon pozitat në luftën për kualifikim në Champions. Trajneri Alegri u pyet pas ndeshjes, por devijoi duke thënë se “nuk flitet tani për rinovimet, por në mars e prill”. Në të vërtetë, rinovimi i argjentinasit pritej që në vjeshtë, por “telenovela” vazhdon.

Më keq ende, vetë Dibala nuk festoi pas golit të shënuar ndaj Kaljarit. “La Gazeta delo Sport” e vë theksin tek “shikimi i akullt drejt tribunës” që pati kapiteni pasi realizoi. Kjo nuk do të thotë aspak parashikim i mirë për Juventusin dhe shanset për të mbajtur sulmuesin dhe njeriun qendror të projektit sportiv, sidomos pas lajmeve se Bepe Marota e do tek Interi. Vetë Dibala tha se “pas golit po kërkoja me sy një shok në tribunë”, ndërsa shtoi se “nuk kam asgjë për të provuar, nuk dua të komentoj, klubi ka thënë se do flasim në shkurt-mars”.

Sfidanti.al