Kapën Ligjin e Sponsorozimit, po rrafshimi i “Kompleksit Dajti”..

Pas një fundjave të mbushur me shpërthime histerike, pjesës zyrtare të politikës nuk i ka mbetur shumë për të bërë dhe kështu që i është përkushtuar totalisht sportit. Kryeministri Rama priti në një takim presidentin e Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, ndërsa pothuajse paralelisht, ministrja Kushi kishte mysafirë Armand Dukën e futbollit dhe një përfaqësi nga Liga Profesioniste. Dhe konkluzionet e këtyre takimeve, si gjithmonë aspak sportive, pasi u zhvilluan me dyer të mbyllura hermetikisht, gjithsesi ishin entuziaste.

Madje presidenti i futbollit u deklarua i mahnitur nga pritja, aq sa e konsideroi shumë të zgjuar lëvizjen e tij të re, për ta braktisur lëvizjen pedante të bojkotit dhe të testonte humorin e ministres. Tashmë sipas tij, Ligji i Sponsorizimeve do të jetë gati së shpejti dhe meqenëse edhe zgjedhjet politike nuk kanë shumë që kanë përfunduar, nuk ia vlen më të bësh opozitarin e hekurt.
Dhe fillimi duket shumë “premtues”, aq sa shefi i FSHF-së kishte menduar të recitonte një prononcim prekës, të përshtatur me buzëqeshjen që i kishte ngrirë në fytyrë.

“Të ketë një Ligj të Sponsorizimit që të sigurojë mbijetesën e sportit në përgjithësi në Shqipëri dhe jo vetëm në futboll, por në të gjithë sportet e tjera. Sporti nuk është thjesht një garë apo kampionat, sporti është një edukim, një nivel jetese për fëmijët tanë”, ishin disa nga fjalët e babait të sportit. Ndërkohë që realiteti nuk ka të bëjë fare me vargjet prekëse të Dukës. Fëmijët e apasionuar pas futbollit vazhdojnë të zhvishen rrugëve edhe në janar, ndërsa FSHF-ja është fokusuar në ndërtimin e stadiumeve, një aferë kjo shumë milionëshe. Dhe askush nuk vret mendjen, që ambjentet ekzistuese sportive po zhduken një e nga e një.

Pak ditë përpara takimit për Ligjin e Sponsorizimit dhe premtimeve bujare të kryeministrit Rama, ekzaktësisht në datën 28 dhjetor, është vendosur ndryshimi i destinacionit të “Kompleksit Dajti”, një ambjent më shumë se gjysmë shekullor dhe që ndodhet shumë pranë Akademisë së Sportit, por që tashmë është përcaktuar si një territor për banim. Ky po që është një lajm, i cili i nxit njerëzit e sportit të dalin entuziastë nga dyert e drejtuesve më të lartë të vendit…

Sfidanti.al