Championsi, misioni i vështirë i Barcelonës së Ksavit

Me shumë mungesa nga dëmtimet, me shumë lojtarë me mendje të ngritur, me të tjerë të shqetësuar, me disa të rinj dhe me një formacion që do kohë të stabilizohet edhe duke mos u ndryshuar çdo javë. Në këto kushte po punon Ksavi Hernandez tek Barcelona, dhe ndonëse ekipi po ngjitet drejt zonës Champions, barazimi i minutave të fundit arritur mbrëmë në fushën e Granadës ishte një “frenim”.

Nuk mjaftoi goli i De Jongut, pasi Puertas barazoi në sekondat e fundit, me Gavin që kishte dalë me të kuq në 80’. “Kartoni ndryshoi ndeshjen plotësisht”, – tha Sergi Buskets. Mediat thonë se Gavi duhet të jetë më i kujdesshëm me faullat pasi ka 7 të verdhë, më shumë se të gjithë katalanasit e tjerë. Po ashtu, u dëmtua Erik Garsia, ndërsa dëmtimi më herët i Arauhos ia kufizon edhe më shumë zgjedhjet Ksavit në mbrojtje. Në stol është Ymtiti, i pakënaqur, Lengle që nuk ndihet i vlerësuar, Depai që duket jashtë planeve, ndërsa Ferran Torres nuk po arrihet të regjistrohet sepse nuk përballohet nga buxheti aktual i pagave.

Sfidanti.al