“10 milionëshi” Bajrami shënon golin e 5-të të sezonit në Itali!

Padyshim është një nga lojtarët më të mirë, më të vlefshëm dhe më të dalluar të kombëtares shqiptare. Nedim Bajrami i është kthyer shkëlqimit të sezonit të kaluar, kur ishte në Serinë B, ndërsa këtë vit vlera e këtij shkëlqimi është më e madhe sepse po ndodh në Serinë A, si dhe në Kupën e Italisë. Mesfushori kuqezi shënoi një gol shumë të bukur në fitoren 4-3 të Empolit në fushën e Veronës, një ndeshje aspak e lehtë, ndërsa në raundin tjetër do të jetë përballë Interit. Bajrami shënoi në minutën e 74-ët për rezultatin 4-1, ndërsa u zëvendësua në 87’. Në këtë ndeshje, titullar bashkë me Bajramin ishte edhe mesfushori i Shpresave, Kristijan Asllani, si dhe portieri i Kosovës, Samir Ujkani, ndërsa Ardian Ismajli ishte në stol.

Lojtari 22-vjeçar ka 3 gola e 4 asiste në 15 ndeshje në Serinë A, ku ka luajtur vetëm pak më shumë se 800 minuta. Në Kupën e Italisë, ai ka 2 gola në 2 ndeshje, pra në total ka 9 gola+asiste, në një sezon shumë të mirë deri tani. Vlera e kartonit të tij është 10 milionë euro.

Sfidanti.al