Kanë kaluar plot 440 vjet që kur Mbretëresha Elizabeta i e Anglisë fisnikëroi Frensis Drejkun si kalorës të mbretërisë së saj (në të ardhmen një perandori), ndërsa ishte një kohë kur krejt normalisht një pirat i përgjakshëm mund të merrte titullin Sër për shërbimet ndaj vendit të tij, ashtu siç edhe një pirat si Baldasar Kosa mund të bëhej Papë. Sot nuk jemi në ato kohë, pasi njerëz të tillë të dhunshëm nuk mund të fisnikërohen, edhe pse këtë titull mund ta marrin spekullantë të bursës që shkatërrojnë fare njerëzish.
Ljuis Hamilton nuk është një prej tyre, ai është një kampion sporti dhe familja mbretërore britanike bëri gjënë e duhur që e bëri atë Kalorës të saj. Piloti i Mercedesit, 7 herë kampion i botës, u fisnikërua sipas ceremonisë tradicionale në Kështjellën Uindsor nga Princi Çarls, trashëgimtari i Mbretëreshës Elizabeta II. Kjo kënaqësi iu dha anglezit 36-vjeçar pak ditë pasi humbi betejën për titullin e 8-të botëror në Formula 1, që do të kishte qenë një rekord mbi Mikael Shumaherin. Që nga Elizabeta i deri tek kjo e dyta, shikoni sesa shumë kanë ndryshuar kohët!
Sfidanti.al