A ju kujtohen fjalët e trajnerit të Teutës, Edi Martini kur po dilte nga pragu i Teutës, si një trajner që kishte kërkuar dorëheqjen? “ Unë po iki, por nuk është një lamtumirë, veçse një mirupafshim”. Askush nuk e mori seriozisht se kjo mirupafshim, nëse konvertohej në bursën e kohës, do të kishte vlerën e dy apo tri javëve. Martini iku, Martini erdhi ! Një rast për “studim” në tokën e futbollit, ku presidentët nuk janë në palën gabuese , sepse janë trajnerët që dinë të ikin bindshëm , disa veshin edhe pektun e të “lumturit” .. sa kthimet e tyre në terren nuk vonojnë..
Po ky rasti i Martinit , si mund të deshifrohet ? Pendesë e presidentit Hasanbelliu apo një pushim dyjavor i trajnerit, meqë paralajmëroi gazetarët që të mos e qanin sikur iku për fare, sepse së shpejti do të takoheshin . Tamam si një leje 15 ditëshe, si një ëndërr që zileps të gjithë trajnerët e tjerë, që kanë ikur pa kthim dhe me stile të ndryshme: dikush me sms, një tjetër e ka mësuar permendsh mësimin si të jap dorëheqjen, një tjetër e ka marrë vesh nga ekrani që ka humbur stolin!
Thonë se në futbollin tonë hallemadh, është si tek Shvejku, atje thuhet se të gjitha rrugët të çojnë në Budejovicë, kurse në “Shvejkun” tonë me top, të gjitha rrugët e fajit të çojnë tek trajneri. Edhe kur ndeshjen e “luajnë” vetë presidentët, edhe kur tradhtia e futbollistëve në fushë është e klasit të lartë, trajnerët na kanë mësuar ta gjejnë fajin tek vetja!
Por, bekuar qoftë ky sezon, na ka bërë dhuratë dy raste që prishin modën klasike , që kanë prishur rregullin e vjetër. Kthimi blic i Martinit, le të merret si pendesë e presidentit, dhe rasti i dytë, ai i trajnerit Shkëmbi të Dinamos, dhe i presidentit të tij , Bardhi, që sa më shumë futet në krizë Dinamo , më të rrezikuar shpallen futbollistët dhe jo trajneri! Le të pajtohemi edhe me këtë realitet ndryshe, edhe pse na duket si një blasfemi që cënon tabutë e vjetra…
Sfidanti.al